Presidenti Thaçi: Marrëveshja finale me Serbinë, Presheva dhe Veriu i Mitrovicës brenda Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media tha se qëllimi i Kosovës është që të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila do të ishte e pranueshme nga ndërkombëtarët.

Thaçi tregoi se një marrëveshje e tillë e arritur, do t’i siguronte Kosovës integrimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), dhe do t’i hapte perspektivën në integrimet euro-atlantike.

Presidenti kosovar tha se është i vetëdijshëm për vështirësitë që janë në procesin e arritjes së marrëveshjes me Serbinë, por gjithashtu beson në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian.

“Mbetet që në javët dhe muajt e ardhshëm të arrijmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese në rrafshin ndërkombëtar, që garanton pranimin e Kosovës në OKB, njohje nga Serbia dhe me këtë nënkuptohet edhe njohja globale për shtetin e Kosovës, që do të thotë konsolidim i plotë i shtetit tonë”, ka thënë për mediat presidenti Thaçi.

“Kjo nënkupton po ashtu që nuk do të ketë kurrë më luftë në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe do të ketë kufij sipas standardeve evropiane”, theksoi ai.

Thaçi përsëriti se në kuadër të marrëveshjes finale midis Kosovës dhe Serbisë, edhe komunat në Luginën e Preshevës (Preshevë, Medvegjë e Bujanoc) do të bëhen pjesë e Kosovës.

“Edhe Gazivoda (Ujmani), veriu i Mitrovicës dhe Trepça do të jenë pjesë e Republikës së Kosovës sipas marrëveshjes finale”, tha Thaçi.

Presidenti Thaçi gjithashtu tha për mediat se ka takuar edhe dy kryesuesit e Ekipit negociator të Kosovës, Fatmir Limajn dhe Shpend Ahmetit. Në këtë takim, Thaçi bëri me dije se i ka dorëzuar dokumentacionin lidhur me procesin e deritanishëm të dialogut me Serbinë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011. Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut, kërkon nga të dyja palët që në fund të procesit të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, e cila, do t’iu hapte perspektivën evropiane të dyja shteteve.