Shpërthen Jozefina Topalli: Basha nuk vjen kurrë në pushtet!

Ish-Nënkryetarja e Partisë Demokratike dhe një ndër ikonat e kësaj force politike, Jozefina Topalli, e quan të delegjitimuar procesin e përzgjedhjes së kryesisë së re.

“Është një kryesi e delegjitimuar, sepse me i votuari ka vota më pak se gjysma e votave të anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe kjo s’ka ndodhur kurrë në historinë e PD. Ata që mbesnin jashtë kryesie se PD kishin vota me shumë se gjysma e anëtareve të këshillit.E dyta 90% e kësaj kryesie kanë më pak se 30 për qind të votave të Këshillit Kombëtar është mungesë përfaqësimi, është rrëzim i çdo emri të paraqitur aty.Përpara ata që votoheshin më shumë merrnin 80-90% te votave. Ata që ishin anëtarë të kryesisë së PD sigurisht merrnin mbi 70% të votave.”

Kur flet për ekipin e Lulzim Bashës, thotë se ai nuk është përfaqësues, as në figura, as ne ideologjinë e se djathtës.

“Është pa identitet, no face, no name, no voice, me ndonjë përfaqësim të vogël brenda kësaj strukture. Pas Republikës së re ajo që ishte, PD ka rilindur, siç ka rilindur edhe PS, e para e majtë e dyta e djathtë. Në këtë që është kryesia e re dhe që presupozohet se është qeveria e Lulzim Bashes, nuk ka të vjetër, nuk ka njerëz me kontribute, nuk ka themelues, nuk ka njerëz me eksperiencë, nuk ka profile të larta dhe nuk ka njerëz që flasin politikisht, nuk ka të rinj dhe nuk ka të djathtë.”

Delegjitimi i strukturave drejtuese të Partisë Demokratike, thotë ish –numri dy i kësaj force politike, Lulzim Bashës i shërben vetëm për një qëllim.

“Një forcë politike pa legjitimitete dhe pa identitet sigurisht i shërben vetëm kryetarit dhe njerëzve të familjes së tij, të cilën e ka kthyer nga një force politike në një biznes privat për përfitime dhe ambicie financiare, të cilat kanë ecur shumë mirë gjatë këtyre viteve, ndërkohë që shqiptarët ikin nga Shqipëria…Këto janë shenja të autokratizmit të qartë të frikshëm në një kohë kur shqip nuk kanë bukën e gojës.”

Nën kryesimin e Bashës, Topalli thotë se në Partinë Demokratike ka humbur demokracia, vota, vlerat, kontributi apo qenia e djathtë, ndaj dhe e sheh të pamundur rikthimin e demokratëve në pushtet. Arsyeja, sqaron ajo, është pazari që sipas saj e lidh Bashën me kryeministrin Rama.

“Lulzim Basha nuk vjen kurrë në pushtet, as me këtë ekip. Basha është njeriu që mban Edi Ramën.Po të mos ishte Lulzim Basha, Edi Rama nuk do ishte kryeministër prej kohësh, ashtu si po të mos ishte Edi Rama, Lulzim Basha nuk do ishte në krye të PD. Ata janë të lidhur në mënyrë të pazgjidhshme sepse ata mbajnë njeri-tjetrin, i mbajnë interesat e njëri-tjetrit.”

Dhe kur flet për pazar thotë se në perspektivë sheh një “deja vu” të marrëveshjes Rama-Basha të Majit të vitit 2017 edhe për sa u përket protestave.

“Lulzim Basha po pret pazarin e radhës do ketë çadrën e radhës, pazarin e radhës, do hyjë në qeveri me Edi Ramën si në 2017, pas britmave të çadrës dhe tradhtisë apo do kërkojë në tavolinë drejtori apo ndonjë bashki tjetër, këtë do t’ia lëmë kohës. Ai zgjedhjet i kupton si pazar, ai nuk pranon votën si koncept. Ndaj dhe PD është një emër që nuk ka lidhje me atë forcë politikë të kapur peng nga Basha dhe familja e tij.”

Ndaj dhe thirrjen e protestave e sheh në funksion të interesit personal të Lulzim Bashës.

“Prej 5 vitesh e kam dëgjuar mbi 590 herë këtë thirrjen se sot do fillojmë betejën frontale për rrëzimin e supertrafikantit Edi Rama. Është farsë, është gënjeshtër dhe ky është identiteti i Lulzim Bashës. Është gënjeshtar. Kishte 6 vite kohë për të bërë protesta dhe për t’iu përgjigjur thirrjes së shqiptarëve. Nuk e bëri asnjëherë se i shërbeu xhepit të kunatit dhe familjes së tij, duke u bërë si një argat i Edi Ramës.”

Kritike është edhe me bojkotin e Kuvendit, pasi thotë se nuk i shërbeu asnjë qëllimi.

“Në parim jam kundër çdo bojkoti, vetë kam bojkotuar për çështje madhore dhe kemi dalë me një bilanc pas bojkotimit. Kur Basha kërkonte leje ndërtimi për katin shtese të tij në përplaseshim me krimin në Parlament. Dolëm nga parlamenti kur bëmë dekriminalizimin, por e realizuam, rrezikuam sakrifikuam, por ia dolëm. Ky doli nga parlamenti se tha do bej vetingun në politikë, ky dhe hyri në parlament për të mbrojtur mandatin e tij dhe hoqi nga lista e kryesisë së tij Rudina Hajdarin, se mbase është më mirë që të djegim mandatet tona.”

Ndryshe nga lulzim Basha ish- nënkryetarja e demokratëve thotë se nuk duhet ndryshuar sistemi, por duhet një lëvizje e re për t’i dhënë fund kësaj kaste politike. Dhe lëvizjen e studentëve e sheh si mundësinë e një ere të re politike në vend.

“Ata janë ngritur kundër qeverisë dhe kanë refuzuar opozitën. Është unike në botë që opozitarizmi të refuzojë atë që quhet opozita formale. Kjo tregon që ka një vakum të frikshëm, të tmerrshëm në skenën politike. Kjo ‘status quo’ e skandaleve që nuk presin njëra-tjetrën duhet përmbysur një sekondë e më parë. Katër vetë nuk mund të mbajnë peng fatet e Shqipërisë, ata duhen rrëzuar dhe njerëz të ndershëm do duhet të marrin drejtimin e këtij vendi dhe besoj se një lëvizje e re do lindë në vijim.”