‘As unë dhe as ti nuk e shikojmë Zotin…’ Dialogu domethënës i studiuesit që sot nuk jeton më, me këngëtaren e verbër

Studiuesi, poeti shkrimtari dhe publicisti Novruz Xh.Shehu, i ndarë nga jeta në nëntor të vitit 2016, ishte një zë i veçantë sidomos në fushën e studimeve dhe në poezi. Në mungesë të tij, dje familja dhe miqtë e afërt e kujtuan në 70-vjetorin e tij të lindjes. Për lexuesit Novruz Xh Shehu është i njohur për një varg librash me vlerë studimore e poetike dhe një varg artikujsh publicistik të spikatur. Por një libër me të vërtetë i veçantë, me të cilin vlen ta kujtojmë në këtë 70 –vjetor të lindjes së tij është ai me titull “As unë dhe as ti nuk e shikojmë Zotin” – Dialog në internet me një vajzë të verbër.

Siç shkruan autori në hyrje të librit “Me këtë dialog kam synuar të zbuloj një pjesë të ajsbergut intelektual të një vajze të lindur plotësisht e verbër. Thirrja e saj “na zbuloni më shumë” që në letrën e parë elektronike, që ajo më dërgoi, më vendosi para detyrës të bisedoj me të 12 muaj. Në këtë libër dyfolësish, ju do të përjetoni mrekullinë e asaj që mund të arrijë njeriu, në çdo pozicion të vendosur, jo prej dëshirës dhe aftësisë së tij. Vetëm duke kuptuar se Ajo mund të ishte Ne dhe Ne mund të ishim Ajo, mund ta quajmë këtë libër me vlera universale”.

Pikërisht nga libri “As unë dhe as ti nuk e shikojmë Zotin”, kemi shkëputur dy letrat e para, që edhe i hapën rrugë këtij dialogu të veçnatë, shkëmbyer mes autorit të librit dhe artistes dhe kengetares Blerina Shalari

ARSYEJA DHE SYRI

E premte, 8 tetor 2010

Nga: Blerina Shalari

Për: Novruz Shehu

Xhaxhi Novruz! Unë kisha dëshirë, të ndaja me ju diçka për konceptin e verbërisë, i cili tek njerëzit e ndriçuar fizikisht, nuk trajtohet siç duhet. Lexoje të lutem me refleksione të thella! Të përfshihen në skenar nota fjalësh thellësisht artistike, pasi vetëm kështu do t’i zbusim, sa të mundemi, etiketimet e rënda që t’i sjell verbëria. Ne, njerëzit non vizus, prej natyre jemi thellësisht të menduar. Për pasojë, trishtohemi shpejt, gëzohemi shpejt, por ajo ç’ka është më e dhimbshme, tragjizmi është i mirëintegruar në shpirtin tonë. Duke qenë i tillë, si një krijesë jo materiale, ai është i ekspozuar ndaj fenomeneve reale dhe shtrembërimeve të tyre. Duke mos parë, je arratisur nga ngjyrat, nga format, nga shenjat. Këtu prekem shumë, sepse një shenjë me sy do të më çonte në flirte ndoshta të pagabueshëm, sytë do të ishin zëdhënësit më të devotshëm të fjalëve. Ta përballosh këtë mungesë, që sigurisht nuk ka shijen e mungesave të tjera, pasi ngaqë e ke gjithmonë, ajo të shndërrohet në praninë e diçkaje e cila duket si para normale, do të thotë se bëhesh më i saktë në gjykim, kthehesh në duruesin më të përulur dhe bëhesh magjistar, për t’i kthyer gjërat në favorin tënd.

Por në këtë kauzë fizike, e cila shndërrohet në shpirtërore, funksionon më natyrshëm se gjithkund tjetër, teoria e relativitetit. Madje duket sikur Ajnshtajni e ka prekur paksa errësirën, kur ka menduar këtë teori! Por përveç kësaj teorie, ne mbartësit e non-vizusit, na prek një dukuri tjetër, ajo e veçantisë. Kjo tingëllon ironike, por njerëzit normalë, punojnë shumë me veten, për të qenë të veçantë ose për t’u dukur të tillë, kurse ne, mbresëtarët e përjetshëm, jemi në fakt të veçantë. Jemi, sepse flasim me mëndje dhe jo me sy, e ndjejmë dikë nëpërmjet zërit, frymëmarrjes e të tjera si këto. Bukurinë si koncept fizik, ne e dallojmë me prekje. Në këtë kontekst mendoj se sikur njerëzit, që shohin, të dinin t’i kombinonin mirë të parit me të prekurit, kush e di se sa më bukur do të visheshin, kush e di se sa më bukur do të dashuronin …dhe kjo « kush e di » do të vazhdonte pambarimisht. Në guackën tonë e cila shfaqet vetëm në vitrinën e mendimit, nuk mund të futesh me lehtësi. Ajo është disi hermetike, duhet të kesh kod për ta zbërthyer, sigurisht nëse egziston një kod i tillë. Mirëpo kulmi i piramidës sonë është më i mprehtë, kur vjen koha për dyzim zemrash. Jemi të dobët ta kemi këtë dyzim, jemi të dobët për të ndjerë diçka prej këtij dyzimi dhe jemi gati të pa fuqishëm të afrojmë dikë tek vetja. Kjo ndodh, sepse për ne dyshojnë edhe për fenomene empirike, janë mosbesues ndaj familjaritetit që ne mund të krijojmë dhe kjo në kundërshtim të hapur me dhuntinë tonë më të fortë: të qënurit të vullnetshëm për t’u përshtatur. Ne e dimë se na duhet të përshtatemi gjithmonë, jo vetëm me ambjentin dhe me njerëzit, që na rrethojnë, por edhe me gjërat më të parëndësishme në dukje, siç janë aromat e këndëshme etj.

Pra ne luftojmë me veten, luftojmë të përshtatemi me botën dhe këtë e bëjmë pasi nuk arratisemi dot përgjithmonë prej saj ose prej negativizmave të saj. E vërteta më absolute është se ne e ngremë jetën tonë në një lloj arti, jemi poetë të lashtë, kantautorë të lashtë, por edhe mendimtarë të lashtë. Pra jemi krijues të një sërë supermacish, por njerëzit, herë na mbivlerësojnë dhe herë na nënvlerësojnë. Vetëm një gjë është e sigurtë: ne do të jemi emigrantë të vetes dhe të botës, sa kohë që arsyeja nuk është ndriçuar më shumë se sytë, por ajo çka duhet të bëjmë është të zbusim sado pak efektet e mërgimit. Të mos vuajmë eksodet, që na krijon të jetuarit. Jeta njerëzore, prej natyre është eksodike, por për ne ajo është më shumë se kaq, sepse ne jemi vetë, si persona, ca eksode të vegjël, që gjendemi të përfshirë në eksodin e madh. Ajo që na mban gjallë frymëzimin, është vizatimi mendor, që ne të verbërit u bëjmë njerëzve të tjerë, sidomos në çastet kur nëpërmjet përshkrimeve na duhet të përfshihemi në ndjenjat e tyre. Për shembull, flokët janë një kod i pagabueshëm, që i flasin atij, që nuk shikon, ose një tregues i drejtpërdrejtë i imazhit. Kjo ndodh pasi ata janë pjesa e dukshme e krenarisë së imazhit. Por imazhi është i paprekur tërësisht nga ne. Dikush që ka shikuar dhe tani e ka humbur shikimin, mendon se edhe ai që e njeh veten e tij vizualisht, mendon se nuk e ka eksploruar atë tërësisht. Kjo duhet të jetë e vërtetë, pasi brendësinë shpirtërore, që nuk ka lidhje me të shikuarit, por që ke mundësi ta njohësh, nuk mund të dish prej saj as një të dhjetën. Problemi është se ne jemi më kuriozë nga ç’kemi mundësi të njohim, duam të dimë më shumë nga sa na tregojnë.

Të shkruash për të parit fizik, kur nuk e ke, është ekuacion, në të cilin s’numërohen të panjohurat, le pastaj të gjendet rruga e zgjidhjes. Një përafrim ditaresk thotë vetëm grimca nga jeta e pa ndriçuar fizikisht, por e mistershme shpirtërisht. Sepse, lotët janë njësoj edhe në sytë tanë, ëndërrat gjithashtu vijnë me po atë vrap edhe tek ne, dashuria e prek më thellë zemrën tonë, sepse ajo pulson edhe jashtë vetes. Ju lutem, na zbuloni më shumë!

E premte, 8 tetor, 2010

Nga: Novruz Shehu

Për: Blerina Shalari

Blerina, unë e lexova esenë tuaj dhe mendoj se është nisma për një vepër nëpërmjet dialogut. Pra unë kam përpara Blerinën, që flet me sytë e botës shpirtërore, po aq sa shikon me sytë e shpirtit. Unë jam Novruzi. Pa marrë parasysh moshën, ndryshojmë nga shikimi i shpirtit që, për mua, kurrë nuk mund të jetë sa i juaji. Përse vallë kështu?!, do të thoni ju! Unë do të mundohem të përgjigjem sinqerisht. Natyrisht deri tani nuk kam qenë i sinqertë, jo për mangësi në personalitetin tim, por për etikën, që është e detyrueshme për çdo njeri normal. Por ju e përmbysët këtë mur, sikur ta dinit ose më saktë ndofta e dinit që unë nuk isha i sinqertë. Pra ti më propozove që unë të flas në pozicionin tim, me sy dhe ti në pozicionin tënd, me mungesën e tyre. Pra, në një farë mënyre ne jemi në dy anët e barrikadës, në një filozofi, që duhet t’ia bëjmë të qartë lexuesit, që ka mungesën tënde dhe lexuesit, që ka mungesën time.

Ti, natyrisht, ke diçka shumë më të rëndësishme sesa unë: ke teleskopin shpirtëror, që nuk mund të arrihet prej meje dhe nga askush tjetër me sy që shohin. Kjo ka si arsye faktin se nuk ke parë asnjëherë dhe njerëzit, që të kanë rrethuar, të kanë folur përgjithçka, që ka ndodhur rreth teje. Ti ke krijuar universin tënd (më fal që po të drejtohem me ti). Këtë univers unë dhe askush tjetër nuk mund ta krijojë, madje nga kodi shoqëror quhet shkelje e të drejtave të njeriut, nëse unë i diktoj qëndrimin tim për atë,që ai sheh dhe konstaton. Ti e merr përsipër, pa u detyruar nga askush, universin tënd, duke arritur lartësi të jashtëzakonshme. Ke të përqëndruar gjithë shqisën intelektuale, duke bërë të mundur të flasësh sikur shikon, të ndjesh sikur shikon, të vlerësosh sikur shikon, të shkruash më bukur se sa miliona të tjerë, që shikojnë dhe të jesh më tepër inteligjente se sa miliona të tjerë, që nuk i hyjnë, siç bën ti, misionit të artistes, për të përkryer botkuptimin e njeriut nëpërmjet të këngës dhe të poezisë. Në rast se unë, që shkruaj si edhe ti, shikimin fizik e shpërndaj në mjedisin rrethues, tek njerëzit e tjerë apo tek natyra, ti nuk e harxhon shikimin, jo vetëm se të mungon. Ke diçka të veçantë nga ata, që nuk shikojnë: je artiste ! Pra gjithë shikimin e ke tek shpirti dhe arti është pikërisht produkt i shpirtit. Ajo që do të dëshiroja ta kisha në qënien time, ti e ke me tepricë, natyrisht jashtë dëshirës tënde, por sigurisht brenda vullnetit tënd. Në letër më shkruaje për ndjesinë, që krijon me prekjen fizike e cila për ty është një nga mënyrat e shikimit. Por unë, që shikoj, nuk e kam këtë privilegj.

Ti e shikon njeriun të bukur nga bota shpirtërore pasi ai shpreh diçka dhe nuk gabon. Unë e shikoj fillimisht në fytyrë, për shembëll një vajzë.Kur ajo është e bukur, edhe pa komunikuar me të, e vlerësoj shumë më tepër se ç’duhet. Ajo mund të jetë një personalitet krejt i zakonshëm, por unë dua ta kem mikeshën time,të flas e të diskutoj me të për letërsinë, poezinë, këngën, artin etj.Vetëm nën karemin e bukurisë. Unë e dëshiroj atë, por, pasi të arrij të komunikoj gjatë, mësoj se kam të bëj me një budallaqe dhe tërhiqem e largohem prej saj duke u penduar keqas. Ti nuk bie në një gabim të tillë, se ti ke privilegjin që ta njohësh dhe vlerësosh njeriun vetëm nëpërmjet fjalës. Në këtë pikë të arësyetimit,në mëndje na vjen citati i parë i biblës i cili kumton se krijimin si akt hyjnor e parapriu fjala. Pra ti je shumë më e aftë se unë në mos shpenzimin e kohës me dokëdo sepse mbështetesh tek fjala më shumë se tek asgjë dhe tek askush tjetër. Prekja fizike është syri fizik, por tërheqja fizike e trupave është një problem tjetër, që ne do ta diskutojmë më gjërë. Blerina unë sot të fola ty vetëm për sytë e shpirtit, që janë një provë të cilën Zoti ta ka vënë përpara për t’a kapërcyer. Kam besim se ti do t’ia dalësh mbanë me talentin tënd të jashtëzakonshëm. Unë pres të më shkruash psh për ngjyrat!… /Shqiptarja