Një përgjigje për ata që mu turrën kur shkruajta për Rudina Hajdarin

Nga Arian Galdini/

A e dini çfarë?

Të gjithë ju që mu turrët mua pse bëra një status mbrojtës ndaj saj.

Pikë së pari, unë nuk jam as mik, as i afërm, as avokat, as mbrojtës, e nuk kam asnjë shtysë apo interes personal për ti dalë për zot Rudinës.

Ajo di shumë mirë ti dalë zot vetes.

Rudinën nuk e njoh personalisht e as kam komunikuar a folur kurrë me të.

Madje edhe kur ajo ka qenë mes meje dhe Lulzim Bashës sikurse në këtë foto, unë sinqerisht as e kisha idenë se kush ishte ajo vajzë e re.

Fare, po fare, fare.

Çfarë më shtyu mua që ta shkruaj statusin e mbrëmshëm?

Ja ku po jua them:

1. Koherenca e qëndrimit tim. Për parim unë jam shprehur që në krye të herës kundër strategjisë dhe vendimit të Opozitës për djegien e mandateve. Kam shkruar përditë për këtë. Kam dhënë intervista. Kam postuar në rrjetet sociale edhe videomesazhe. Pra natyralisht, nuk mund të mos solidarizohem me të tjerë njerëz, politikanë, deputetë të opozitës që ndajnë të njëjtin vendim e mendim me mua. Po të kisha qenë edhe unë deputet, do të kisha mbajtur të njëjtin qëndrim. Nuk do ta pranoja djegien e mandatit.

2. Sepse unë e dua Opozitën të Bashkuar. Ja sikurse jemi në këtë foto. Por nën Tupanët e Luftës, Krerët e Opozitës po na ftojnë nën rreshtim si ushtarë, jo në bashkim me integritet e dinjitet.
Tupanët e Luftës duan të na vendosin nën diktatin e faktit të kryer, o me ne, o tradhetar. E kështu po përfundojmë pak nga pak të shpallur tradhëtarë padrejtësisht, edhe ne që duam Bashkimin, por nuk pranojmë Rreshtimin. Ngase ata janë Fuqia Vendim-marrëse dhe Shtabi i Përgjithshëm i Luftës, ata ndihen të plotëfuqishëm që të na quajnë neve që duam Bashkimin me Integritet dhe Dinjitet, si përçarës, të pabindur, të shitur e tradhëtarë.

E jo. Kjo nuk është aspak e drejtë. Nuk vë dorën në zjarr për askënd tjetër veç vetes sime, e megjithatë për parim e refuzoj këtë Vetëplotëfuqishmërinë e këtyre të Shtabit të Luftës për të na treguar neve të tjerëve standartet dhe të drejtën.

3. Rudina Hajdari është një vajzë e re në politikë. Çfarë shembulli u japim ne të rinjve në politikë duke linçuar e përbaltur një të re guximtare që mirë apo keq ka marë një vendim të fortë për të cilin duhet respektuar.

Ku e keni parë ju të shpallur si heroinë këtë vajzë të re të quajtur Rudina Hajdari? Askund nuk e kam thënë e as shkruar unë. Askund tjetër nuk e kam lexuar, së paku për aq sa kam arritur të lexoj rreth saj e për të.
Por që është një vajzë e re, një politikane e re që ka marë një vendim guximtar, ky është fakt dhe meriton të respektohet dhe madje inkurajohet.

4. Është vajzë, femër, zonjë. Nuk linçohet kështu një vajzë, një femër, një zonjë. Ne kemi kaq pak zonja në politikë, e bëjmë mirë tua kursejmë agresivitetin tonë burrëror të një politike pa vlera, pa parime, pa rregulla e pa nder.

5. Është e bija e Azem Hajdarit. Është kanibalizëm politik, ti përdorësh emrin Azemit për pushtet, për frymëzim, për unifikim, për ekzaltim, e në fund ti linçosh të bijën.

6. Kjo puna e kontributeve në PD është bërë si shkollë nate, 1 ditë po, 3 ditë jo. Kur do partia ti vlen. Kur do partia ti je kudo. Kur do partia katapultohesh kudo, ngado, kurdo, kushdoqofsh. Dhe katapultimi i partisë, zbatimi i detyrave që të lë partia numërohet si kontribut. Ama sikur 1 here të vetme të mos i bindesh partisë, atëherë menjëherë të plasin në fytyrë gjithë të këqijat e botës.

Po ja meqë Rudina, nuk paskërka kontribute, përse duhet të më shani mua, të më fyeni mua, të më tregoni mua sesa të zhgënjyer qenkërkëshi me mua, vetëm e vetëm pse unë bëra një status të thjeshtë, njerëzor, revolte dhe solidariteti në krah të Rudinës. Edhe sikur gabim ta kem unë qëndrimin tim, çfarë ju shtyn, çfarë fuqie mllefi ju shtyn të më turreni mua? Çfarë?
Doni kontribute?

I kam pafund. Nga 1991 deri tani në këtë çast që po flasim. Ju u zhgënjekeni me mua pse unë bëj një status të thjeshtë për Rudinën, e më shani mua, më etiketoni mua, më thoni të parme e të prapme mua, e unë pyes veten: Pa prit…
A kam vjedhur ndonjëherë në jetën time?
Jo.

A kam mashtruar ndokënd në jetën time?
Jo.

A i kam bërë ndokujt keq në jetën time?
Jo.

A kam pasur ndonjëherë pushtet në jetën time?
Jo.

A i kam marë ndokujt borxh në jetën time?
Jo.

A kam bërë ndonjêherë ndonjë paudhësi, ligësi, a poshtërsi në jetën time?
Jo.

A kam bërë ndonjë punë të zezë në jetën time?
Jo.

A kam bërë ndonjëherë ndonjë dredhje politike a kompromis me të majtën, në jetën time?
Jo.

A e kam sharë unë ndonjëherë me fjalë fyese a të padenja, Bashën a Berishën, a PD?

Jo.

A kam qenë herë pas here kritik dhe guximshëm kritik kur nuk kam qenë dakort me ta?

Po. Pra sot e dje, nuk është hera e parë.

Por sharje kurrë.
Fyerje kurrë.

Atëherë çfarë i shtyn këta njerëz që pse unë vijoj të jem besnik i ideve të mia, i qëndrimeve të mia, i ndershëm dhe i drejtpërdrejtë, i sinqertë si gjithmonë, i pahile, të më turren mua e të më shajnë e fyejnë mua, pse bëj një status për Rudina Hajdarin?
Një Zot e di, sesi dikush mund të shajë dikë pse mendon politikisht apo partiakisht ndryshe.

Mund të shash një hajdut, një batakçi, një borxhli, një bixhozxhi, një horr, një të korruptuar…

Por dikë që veç mendon e vepron sipas mendimeve e besimit të tij, e që kurrë nuk i ka bërë keq askujt, nuk e kuptoj si e pse mund ta shash.

7. Jua kam thënë që në krye të herës. Në fitofshi kështu, mos kini merak sepse nuk do tju trokas në derë fare për të ndarë fitoren me ju.
Në humbshi, mua këtu më keni që të ringrihemi së bashku për të fituar.

Faleminderit.