“Pa projekte bindëse fondet mbeten në Bruksel”, Rama tek Bujqësori: Punësim në ministri për studentet e…

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Universitetin Bujqësor të Kamzës ku prezantoi projektin prej 1 milion eurosh për ndërtimin e një ferme.

Rama tha se ky projekte të ndihmojë studentët që të krijojnë praktikat e tyre dhe të ndërtojnë një model ndërmarrje të suksesshme nga e cila të gjenerojnë dhe të ardhura.
“Fond 1 milion euro për fermën i hap rrugë një procesi afat për praktikën reale të mësimit të lidhur me ekonominë dhe me tregun. Ngritja e kësaj ferme do të jetë një burim të ardhurash për universitetin. Universiteti bujqësor do të mund të krijojë një model të vetin, atë të një kompanie fitimprurëse dhe në një terren që të shërbej si destinacion për praktikat dhe trajnimin e specialistëve të bujqësisë për proceset eksperimentale”, tha Rama.

Punësimi

Kryeministri tha sot se qeveria do të vazhdojë me programin e saj për të punësuar studentët më të mirë në institucionet shtetërore.

Rama tha se pas paktit me universitetin që u nënshkrua pas protestave të studentëve, janë punuar në Ministrinë e Bujqësisë 31 student ekselentë. Ndërkohë sipas tij do të vijojë dhe procesi i rikonstruksionit të godinave të konvikteve.

“Ne sot nuk bëjmë asgjë tjetër veçse financojmë një pakt. Prej tyre 31 persona janë punësuar në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Nuk është thjesht një valë si kjo e 373 studentëve të parë, por një angazhim afatgjatë të Paktit të Universitetit. Ne do vazhdojmë dhe të integrojmë në administratë të gjitha kapacitetet e mira që dalin nga universiteti, duke iu referuar kategorive të ekselentëve. Këtu kemi marrë vendimin e rindërtimin dhe krijimin e standardeve normale për të gjitha konviktet. Kemi bërë ndërhyrjet e nevojshme që konviktetit t’i përgjigjen standardeve. Ajo që po diskutoja me rektorin është kjo që universitetit bujqësor i takon, të krijojë edhe një model me të tjerët. Ku përfshihen pedagogë dhe studentët më të mirë dhe një terren që shërben si destinacion për praktikat mësimore dhe të gjitha proceset eksperimentale. Unë besoj që ky territor të përfshihet në listën e atraksioneve turistike të Tiranës, duke u shndërruar në një zonë tërheqëses për vizitorët nga jashtë. Kjo nuk është një ëndërr sy mbyllur. Është një ëndërr me sy hapur”, tha ai.

Projektet

Rama foli dhe për projektet që Bashkimi Europian jep për Shqipërinë. Sipas tij këto fonde nuk lëvrohen pa projekte serioze edhe pse janë të destinuara për një vend si Shqipëria.

“Paratë mbeten në Bruksel nëse vendi për të cilin janë destinuar në rast se nuk ka projekte bindëse. Ne jemi vendi i dytë me burime më të pasura në Europë dhe një nga problemet më të mëdha që pas sistemit të kaluar ka qenë uji. Uji është me tepri dhe ka shkaktuar përmbytje dhe uji s’ka për të pirë”, tha ai.