Basha: Nuk ka kthim pas nga përballja me juntën kriminale në pushtet, kush s’na bashkohet të ulë kokën e të mos bëjë zë

Lulzim Basha është shfaqur nervoz në konferencën e tij për gazetarët, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PD-së.

Ai është kapur disa herë me gazetarët, ndërkohë që lajmëroi protestën e radhës më 25 maj pasdite.

I pyetur nëse do të përdoret dhunë dhe bomba Molotov, Basha tha se nuk mund t’i pengojë qytetarët e revoltuar me Ramën.

Basha tha se kush nuk i bashkohet atij dhe opozitës në këto momente, duhet të ulë kokën dhe të mos bëjë zë, pasi po i shërben pushtetit.

“Forumet më të larta drejtuese të PD dhe kryetarët e koalicionit opozitar kanë shqyrtuar gjendjen e rëndë të grushtit të shtetit ku ndodhet vendi.

Sot e gjithë Shqipëria dhe bota kanë kuptuar se fshihet makthi i Edi Ramës për atë që e pret në zbardhjen e dosjeve hetimore ku përfshihet drejtpërdrejtë Edi Rama.

Vendimi unanim i opozitës është përballje ballore me të gjitha format.

Që nga ky moment do të jemi çdo ditë dhe çdo minutë bashkë me qytetarët në një përballje pa kthim me ushtarët dhe shërbëtorët e juntës kriminale në pushtet derisa të diktojmë kthimin tek demokracia”, tha Basha pas mbledhjes.(TemA)