TËRHEQJA E KANDIDATËVE TË BINDJES DEMOKRATIKE, REAGON PATOZI: U KAPËN PËR FYTI…I NJOHIM ME EMRA, UA DIMË EDHE ZYRAT KU I KANË THIRRUR TË PENDUARIT

Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ka reaguar pas largimit nga gara për zgjedhjet e 30 Qershorit, të kandidatit për Bashkinë e Kavajës, Bledar Sinella.

Patozi shprehet se nuk ka asnje peng për ata që u ndanë prej tyre pasi sipas tij, ‘u kapën për fyti dhe u lidhën prej këmbësh nga të dëshpëruarit e sistemit, të cilët ndjehen tmerrësisht të kërcënuar nga era e Bindjes Demokratike’.

‘E kanë kot. Sepse nuk na ndalin dot, ndaj edhe janë kaq të acaruar. Nuk ia vlen të merreni me inkuizitorët, ndonëse i njohim me emra, ua dimë edhe zyrat ku i kanë thirrur të penduarit, në prani të dëshmitarëve mediatikë. Sepse koha e tyre po skadon me shpejtësi’, shkruan mes të tjerash Patozi.

Postimi i plotë:

NUK NA NDALIN DOT, NDAJ JANË TËRBUAR NGA DËSHPËRIMI

Krenarë për atë që kemi bërë në kaq pak ditë dhe mirënjohës për gjithkënd që mbështeti dhe besoi tek BINDJA DEMOKRATIKE. Sot jemi realisht shumë më tepër dhe shumë më të fortë se në ditën e parë.
Asnjë peng për ata që u ndanë prej nesh për shkak se u kapën për fyti dhe u lidhën prej këmbësh nga të dëshpëruarit e sistemit, të cilët ndjehen tmerrësisht të kërcënuar nga era e BINDJES DEMOKRATIKE.
Shikojeni vetë si janë shpërfytyruar, sa kanë nisur me tërbim një fushatë të egër kundër nesh, që të kujton gjuetinë e nazistëve ndaj ebrenjve, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kurrë më parë nuk ka ndodhur që një partie politike, ndonëse fare e re, t’i sulmohen, përgjohen dhe merren peng, që nga firmëtarët e deri tek kandidatët e saj për zgjedhjet e 30 qershorit.
Është e pashmbullt kjo që po ndodh, por ajo konfirmon gjithashtu se ne kemi bërë gjënë e duhur në kohën e duhur.
E kanë kot. Sepse nuk na ndalin dot, ndaj edhe janë kaq të acaruar.
Nuk ia vlen të merreni me inkuizitorët, ndonëse i njohim me emra, ua dimë edhe zyrat ku i kanë thirrur të penduarit, në prani të dëshmitarëve mediatikë.
Sepse koha e tyre po skadon me shpejtësi. Është koha e BINDJES DEMOKRATIKE.